Sunday, June 16, 2013

DYMBËDHJETË MUAJT E VITIT


DYMBËDHJETË  MUAJT  E  VITIT

Po e nisim përrallën. Qofshi të gëzuar të gjithë ju që e dëgjoni. Ishte një herë një plakë e mjerë e shumë e varfër. Një ditë plaka u nis e shkoi të mbledhë karthje për dimër. Mblidh-mbidh, hyri në ca ara të punuara. Në krye të këtyre arave, rrëzë një mali, pa një shtëpi. Kur po mbidhte karthje zuri të bjerë një vesë shi. Që të mod largohej, plaka shkoi në këtë shtëpi për të gjetur strehë. Sapo hyri brenda pa dymbëdhjetë djem të rinj shumë të bukur.
            -Mirë se ju gjeta, djem, -u tha plaka.
            -Mirë se ardhe, moj plakë e mirë, - ja kthyen ata. –Ç’të ka sjellë këtej në një kohë kaq të keqe?
            Plaka u tha:
            -Unë, o djem, kam dalë të mbledh ca karthje për dimër, se jam e varfër dhe shtëpia ime nuk është shtëpi, po kasolle e prishur. Në këtë kasolle era, shiu dhe të ftohtët hyjnë nga të katër anët.
            Atëherë njëri nga djemtë e pyeti:
            -Na thuaj, moj nënë, cili është muaji më i keq i vitit?
            - O djem, - tha plaka, - nuk ka muaj të keq. Sikush ka të mirat e tij. Të gjithë muajt qofshin të bekuar, se që të gjithë janë të mirë.
            - Ç’po thua kështu moj nënë? A mos muaji janar është njëlloj si muaji maj?
            - O djem, - tha plaka, - nëqoftëse nuk do të binte shi e dëborë në janar, si do të vinte maji plot lule? Unë po ju them edhe një herë se të gjithë muajt janë të mirë. Qofshin të bekuar!
            Atëherë djemtë i thanë:
-Ke  ndonjë trastë, moj nëne?
Plaka nxori e u dha trastën që kishte marrë për të mbledhur barishta që të gatuante ushqim. Djemtë ja mbushën këtë trastë plot me florinj. Plaka mori trasën e u kthye në fshat.
Pas ca kohe, e motra vuri re se plaka nisi të rrojë mirë e të prishë pare. Vajtie i tha:
-Moj motër, ti po prish shumë pare e po rron mirë. Më thuaj, ku i ke gjetur këto pare?
Plaka u gjend ngushtë e ja tregoi të gjitha.
Të nesërmen, e motra u ngrit, mori një thes të madh e shkoi në mal. Të mos e zgjatim:  gjeti shtëpinë dhe brenda në shtëpi gjeti dymbëdhjetë djem të rinj. Hyri brenda, tha mirë se ju gjeta dhe ndënji përdhe.
Djemtë e pyetën:
-Ç’të ka sjellë këtej, moj plakë?
-Kam ardhur, - u tha ajo, - të mbledh karthje, se ja ardhi janari, ky muaj i keq e i mallkuar. Mos e sjelltë herë tjetër kokën këtej se më bënë të mardh nga të ftohtit.
-Pa na thuaj: cili është muaji që të pëlqen?
-Asnjëri nuk më pëlqen. Të gjithë janë të këqinj. Kush mund të them se është i mirë? Shkurti i çalë apo marsi nazemadhi që na bën të djegim edhe magjet? Edhe muajt e tjerë janë të mërzitshëm, ca me shi, ca me erë e ca me të nxehtë të madhe.
Atëherë djemtë e pyetën:
-Ke ndonjë trastë, moj plakë?
-Kam, -u përgjegj plaka shumë e gëzuar dhe u zgjati thesin.
-Sille këtu.
Ata ja mbushën thesin plot me gjarpërinj nga të gjithë llojet, plot me nepërka, me bolla, me zhapinj e me gjithfarë shterpinj të tjerë që zvarriten mbi dhe. Si ja mbushën kështu, ja lidhën grykën, ja dhanë plakës e i thanë:
-Kur të vesh në shtëpi, mbyll derën dhe dritaret, pastaj hap thesin.
Plaka mori thesin e u kthye e gëzuar në shtëpi. Atje mbylli derën e dritaret, zgjidhi grykën e thesit. Menjëherë dual gjarpërinjtë, nepërkat, bollat, zhapinjtë e gjithë shterpinjtë e tjerë dhe e kafshuan gjersa e lanë në vend të vdekur.
Unë nuk isha atje, as ju nuk ishit, kështu që po të doni besoni, po të doni mos besoni.

Perralla per femije